Me qëllim të parandalimit të infektimit dhe mbrojtjes nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve, që të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19.
Drejtori i Informimit dhe njëherit Specialisti i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, pohoi se vaksinimi është mënyra më e sigurt për të parandaluar COVID-19: “Imuniteti natyral i fituar nga kalimi i sëmundjes, vjen duke u dobësuar me kohë dhe për më tepër, jo të gjithë ata që e kalojnë COVID-19, fitojnë imunitet të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ri-infeksioni. Prandaj, me qëllim të parandalimit të ri-infeksionit, ne u bëjmë thirrje qytetarëve të pa vaksinuar, që të vaksinohen, ngase është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.”
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që krahas vaksinimit, t’i zbatojnë edhe masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), gjatë 24 orëve të fundit, nga 1.823 testime, 14 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Në total numri i rasteve aktive me COVID-19, është 428 persona.