Nga dita e sotme, të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, duhet të jenë të pajisur me pajisjet dimërore, kështu është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës, ku apelohet tek të gjithë shoferët që ti respektojnë rregullat e komunikacionit edhe gjatë këtij sezoni.
“Nga data 15 nëntor deri më datën 15 mars kërkohet që mjetet në qarkullim ti kenë pajisjet dimërore. Apelojmë tek të gjithë shoferët që të fillojnë përgatitjen e mjetit dhe të jenë të kujdesshëm gjatë këtij sezoni dimëror”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, Neni 227- pika e parë, thuhet se gjatë sezonit dimëror, nga 15 nëntori deri më 15 mars, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor duhet t’i kenë pajisjet dimërore.
Shoferët që nuk e respektojnë këtë nen dënohen për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh.