Ende pa e shijuar telefonin e ri të Apple, këtë javë që po e lëmë pas, mediat sollën lajme bombastike për iPhone 14. Besojeni ose jo, iPhone 14 pritet të vijë me një memorie deri në 2TB, shkruan portali ‘macworld’. Edhe pse jemi një vit larg nga lansimi i serisë se re, kur është fjala për Apple, gjithçka është e pritshme. Kujtojmë që kompania këtë vit dyfishoi hapësirën maksimale të ruajtjes së të dhënave në versionin iPhone 13, me modelet Pro dhe Pro Max, që vijnë me 1TB.
Edhe Google, këtë javë njoftoi se do të ofrojnë siguri maksimale tek përdoruesit. Gjigandi teknologjik, do të aktivizojë verifikimin me dy faktorë automatikisht, për më shumë se 150 milionë llogari dhe këtë do ta realizojë deri në fund të këtij viti (2021). Kujtojmë që në vitin 2018, Google shpalosi statistikat të cilat treguan se vetëm 10% e llogarive aktive, përdornin verifikimin me dy faktorë.
Këtë javë, pjesë e lajmeve teknologjike ishte edhe lansimi i ‘Windows 11’. Microsoft e filloi këtë javë prezantimin, një proces që do të vazhdojë deri në vitin 2022, për pronarët e kompjuterëve, tabletëve dhe pajisjeve tjera. Përditësimi falas i sistemit operativ, së pari do të bëhet i disponueshëm për kompjuterët dhe pajisjet më të reja dhe më pas për ata që aktualisht përdorin ‘Windows 10’.