Shkollarët, të cilët zakonisht nisin vitin e ri shkollor më 01 shtator, situata epidemiologjike në vend, ka ndikuar që ata të nisin procesin mësimor më 13 shtator, me ç ‘rast edhe shumë fëmijë do të ulen për herë të parë në bankat shkollore.
Nëse situata përmirësohet dhe procesi mësimor nis ashtu siç është njoftuar nga Organet gjegjëse, mësimdhënësit shprehen të gatshëm për të realizuar kurikulën e tyre shkollore, në mënyrë që të gjithë nxënësit të mund të përfitojnë sa më shumë në mësim-nxënie.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, mësuesja e shkollës fillore “Naim Frashëri”, znj.Synavere Ahmetgjekaj- Daci, thotë se mezi pret të takohet fizikisht me nxënësit e saj dhe se është e gatshme t’u ofroj atyre sa më shumë njohuri nga të gjitha lëndët mësimore:
“ Më ka marrë malli t’i takoj të gjithë nxënësit e mi, të cilët tash e nje kohë janë bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Me padurim pres që të fillojmë vitin e ri shkollor me ta, të mësojmë sa më shumë, të zgjerojmë horizontin dhe të argëtohemi. Shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe fëmijët të kthehen sa më parë në bankat shkollore”, tha znj. Ahmetgjekaj -Daci.
Kujtojmë që në takimin e mbajtur më 25 gusht, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë dhe Drejtorët Komunal të Arsimit ishin shprehur të përgatitur për fillimin e vitit shkollor, me ç ‘rast ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pohoi se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës për menaxhimin sa më të mirë të situatës pandemike.