Kosova ofron mundësi të shumta kur është fjala për turizmin. Pavarësisht nëse jetoni në Kosovë apo jashtë saj, e gjitha që ju duhet, është një pikënisje, një orientim se çka të vizitoni, varësisht preferencës që keni.
Për të kuptuar se ku mund të shkojmë për të realizuar vizita turistike, Radio KFOR-i ka intervistuar kryetarin e Klubit Alpin Prishtina, z. Nazmi Hasanramaj, i cili tregoi se cilat janë mundësitë turistike, varësisht preferencave të njerëzve, duke kategorizuar grupin e atyre që duan ecjen dhe grupin e atyre që duan vizita kulturore: “Ne si Klubi Alpin Prishtina, gjatë viteve të fundit i kemi kategorizuar disa kategori të vizitave komfor preferencave të njerëzve që duan me i vizitu pikat turistike. Kemi vërejte që viteve të fundit ka shumë kërkesa nga diaspora të cilët vijnë dhe nuk kanë ndonjë ide shumë të qartë se çka munden me vizitu në Kosovë, prandaj i kemi kategorizuar grupet e njerëzve: pjesa e parë që lidhet me natyrën, për ata që e duan natyrën, ata që duan të bëjnë ecje të shkurtra në Kosovë dhe në këtë rast do të sugjeroja jugun e Kosovës dhe perëndimin. Pra, Bjeshkët e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna që janë vende specifike ku njerëzit munden me shku me veturë, ata që duan të ecin në natyrë, në vende siç është rajonin i Brodit, rajoni i Dragashit edhe Prevalla, kjo sa i përket jugut të Kosovës. Gjithashtu është hapë edhe pjesa e Brezovicës, ku ka restorante dhe ka vende ku njerëzit munden me marr ushqimin, ka shtigje të shënuara dhe munden me shkarku aplikacione për të kuptuar shtigjet e ecjes, sa me ecë dhe cilin numër me e thirr, nëse kanë ndonjë problem në pyje. Kjo është kategoria e parë, jugu i Kosovës, ndërsa sa i përket perëndimit të Kosovës, ku janë Bjeshkën e Nemuna, tash atje ka mundësi edhe për fjetje dhe tani po zhvillohet edhe një shërbim i ri i turizmit që ka të bëjë me teamworking (Punë ekipore). Grupi tjetër është ai që dëshiron të bëjë vizita kulturore, nuk bëjnë ecje të gjata mirëpo bëjnë vizita në qytete dhe vende me rëndësi kulturore. Në këtë rast e kemi Prizrenin, Peja-pjesa e vjetër e qytetit, kanë filluar vizita të tilla të bëhet edhe në rajonin e Ferizajt që është shumë plus i madh dhe krejt kjo futet brenda një pakoje e cila duhet gjithmonë të bëhet me guidë vendore, në këtë rast kemi edhe ciceronët e qytetit, të cilët ofrohen nga organizata jonë.”
“Një herë në vit, shkoni atje ku nuk keni qenë kurrë më parë”, kështu ka thënë Dalai Lama, e ju miq përmbajuni këtij ‘rregulli’, pavarësisht a jetoni brenda apo jashtë saj, Kosova ka shumë vende të bukura për t’i vizituar.