Bima e famshme që rritet kryesisht në Afrikën veriore, e njohur si argani, është një nga bimët më shëruese në botë dhe ka jetëgjatësi rreth 200 vjet. Kombet e Bashkuara, vlerësojnë këtë pemë si aset të rëndësishëm të trashëgimisë bujqësore dhe sot, me 10 maj, në gjithë botën organizohen aktivitete të ndryshme për rëndësinë e arganit, për përdorime të ndryshme shëndetësore.
Rreth kësaj bime të çmuar dhe vajit që krijohet nga argani, për Radio KFOR-in shpjegoi nutricionistja, Dafina Demolli: “Argani është një gjini e bimëve lulëzuese, që përmbajnë speciet e vetme Argania spinosa, e njohur si argan. Vaji i arganit është një vaj bimor që rrjedh nga bërthamat e frutave të pemës së arganit. Ky vaj ka në përmbajtje mjaft vlera ushqyese, që ndikojnë pozitivisht në shëndetin tonë. Duke filluar nga acidet yndyrore si acidin linoleik dhe acidin oleik, të cilët ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Po ashtu ka përmbajtje të lartë të vitaminës E, që është e njohur si antioksidant i fuqishëm, që zvogëlon dëmtimet që shkaktohen nga radikalet e lira në organizëm. Vaji i arganit ndikon edhe tek rezistenca e insulinës tek diabetikët, e kjo për shkak të antioksidantëve që përmban.”
Disa studime tregojnë se vaji i arganit mund të jetë efektiv në zvogëlimin e shenjave të plakjes, qoftë kur gëlltitet ose zbatohet direkt në lëkurën tuaj. Pra ka efekte edhe në hidratimin e lëkurës si dhe tek flokët e dëmtuara. Po ashtu, antioksidantët që gjenden në vajin e arganit mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit.







