E vendosur rreth 50 km në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës, me pamje të mrekullueshme në drejtim të maleve të larta të Sharrit dhe në lartësi mbidetare prej 400 metrave, Qendra për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim Banja “Nëna Naile”, në Kllokot po vazhdon të jetë zgjedhja e parë për të gjithë ata që kanë nevojë për terapi të ndryshme.
Në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, Sekretari i Përgjithshëm i banjës “Nëna Naile”, Ylli Morina, tregoi se këtë banjë e vizitojnë të gjitha moshat: “Tek ne vijnë të gjithë njerëzit që kanë probleme të ndryshme qoftë reumatike, thyerje ose edhe probleme të tjera, e që kanë nevojë për trajtime fizikale, meqë është shumë e nevojshme që të vijnë në një banjë e cila është edhe shëruese. Posedojmë ujin termo-mineral, kemi baltën shëruese, kemi ushtrimet fizikale, nën mbikëqyrjen e profesionistëve, të udhëhequr nga Prof. Dr. Enver Haxhiu. Tek ne është një procedurë e trajtimit që fillon me kontrollin e përgjithshëm të pacientit. Pacienti si të hyjë në banjën tonë, i nënshtrohet një kontrolle të përgjithshme mjekësore, pastaj mjeku ua përcakton terapinë, varësisht prej sëmundjes që ka pacienti, duke filluar prej terapisë fizikale, terapinë në bazen me ujë termo-mineral, terapinë me atë që e njohim në gjuhën popullore me baltë, elektroterapia, Kineziterapia, Balneoterapia, Hidroterapia, Parafinoterapia, Termoterapia, Magnetoterapia ,Terapia me laser, Mehanoterapia, Sonoterapia, Fototerapia, etj.”
Sipas z. Morina, në këtë kohë pandemie nëpër të cilën po kalojmë të gjithë, është ideale për të bërë një vizitë në këtë banjë, pasi e njëjta ofron edhe relaksim dhe të gjithë kemi nevojë për diçka të tillë.