Interneti e ka bërë ‘botën më të vogël’, ka afruar njerëzit dhe numëron mundësi të pafundme në të gjitha sferat e jetës. Rrjetet sociale, si një nga produktet më efikase të internetit, shpesh janë në fokus të studimeve për efektet që prodhojnë. Me krejt të mirat, shumica e studiuesve social, megjithatë paralajmërojnë se rrjetet sociale janë të dëmshme për fëmijët. E sa të rrezikshme janë në aspektin psikologjik, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me psikologen e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi, e cila thotë se në vete mediat sociale nuk janë ‘problem’, por problem është qasja ndaj tyre: “Mediat Sociale dhe fëmijët, është një nga temat më evidente e viteve të fundit në të gjithë botën sepse ndryshimet që ka sjell teknologjia në mënyrën e jetesës, është sfidë për të gjithë e në veçanti për prindërit dhe fëmijët.
Duke potencuar se e meta e internetit është sepse nuk ekziston një kufi dhe cilësi e informatave dhe burimeve që i qasemi, kjo paraqet direkt një rrezik për fëmijët duke filluar nga rrezikimi e sigurisë së tyre sepse në mediat sociale bëjnë ‘share’, informatat personale nga shkolla dhe vendbanimi, e deri tek numri personal, e duke vazhduar kështu deri tek kontaktet dhe burimet e dëmshme për t’iu ekspozuar në moshë fëmijërore.”
Znj. Pokshi shtoi se pikërisht këto rreziqe, kanë bërë që ekspertët e psikologjisë të rekomandojnë prindërit të mos i lejojnë fëmijët nën moshën 16 vjeç të kenë qasje aktive dhe të pavarur ndaj mediave sociale, pasi vetëm në këtë mënyrë, mund të parandalohen problemet e mëdha që mund të prekin të gjitha sferat e jetës së një fëmijë.