Sot, më 18 janar, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë fillojnë gjysmëvjetorin e dytë shkollor, të cilin do ta vijojnë fizikisht nëpër objekte shkollore. Pavarësisht një vendimi të tillë, ekspertët shëndetësor kanë apeluar tek mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në respektimin e masave anti-CoViD.
Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, njëherësh anëtare e Bordit Këshillëdhënës për CoViD, Znj. Rukie Mehmeti, për Radio KFOR-in, ka thënë se rritja e rasteve dhe mos-respektimi i masave anti-CoViD, çon në izolim, andaj është e rëndësishme të menaxhojmë mirë këtë proces: “Mendoj se është në duart e nxënësve dhe mësimdhënësve se si do të rrjedhin gjërat tash e tutje. Nëse nxënësit duan që të shkojnë nëpër shkolla, të shoqërohen dhe të mësojnë në bankat shkollore, atëherë ata duhet patjetër me ju përmbajtë masave mbrojtëse, përndryshe nëse vjen deri te rritja e numrit të rasteve me CoViD, shkollat rrezikojnë të mbyllen dhe më pas të vijojë mësimi online, të cilin ata e kanë provu dhe shumica e nxënësve nuk janë të kënaqur me mënyrën e mësimit në shtëpi. Mësimi me shokë dhe moshatarë është më i mirë se mësimi i vetëm në shtëpi. Nëse një nxënës infektohet në klasë, atëherë duhet të izolohen tërë klasa, por jo edhe tërë shkolla. E për mos me ndodh kjo, ata duhet edhe pak me punu dhe të shpresojmë se me ardhjen e vaksinave edhe kësaj do t’i vije fundi dhe durimi do shpërblehet. Kjo varet nga ne si prindër, mësimdhënësit dhe nxënësit, sepse nëse nuk mendojmë bashkë, atëherë do ta humbim hapin dhe kjo rrezikon të na dërgojë sërish në izolim.”
Në anën tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Znj. Diellza Kukaj, ka thënë për Radio KFOR-in se kanë shfrytëzuar periudhën e pushimit dimëror, për t’iu dalë në ndihmë të gjitha shkollave në ofrimin e një ambienti të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësimdhënësit.