Këngëtari i njohur Art Abazi, pas shumë projekteve muzikore të suksesshme, në këtë fund vit ka përgatitur surpriza të shumta për fansat e tij.
Për të mësuar më shumë rreth albumit dhe këngëve të reja, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me këngëtarin Art Abazi, i cili na tregoi më shumë rreth projekteve që do të publikojë bashkë me albumin e tij më të ri: “Kënga më e re që do të publikohet ka qenë e planifikuar të lansohet në verë, por për shkak të situatës me pandeminë ndryshuan planet. Kënga ‘Ndoshta ke harruar emrin tim’, është produksion i Boocky Dj nga Tirana, kënga është në zhanrin dance pop dhe tashmë kemi përfunduar xhirimet e video spotit dhe presim të publikohet me datën 25 dhjetor.”
Arti, gjithashtu tregoi ekskluzivisht për Radio KFOR-in, se albumi i tij më i ri do të titullohet ‘Enigmë’, ndërsa do të publikohet në muajin janar të vitit 2021 dhe do të përmbajë edhe një projekt tjetër të ri. Albumi do të përcillet edhe me performancë live në Tiranë dhe Prishtinë.