Në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’, Organizata Jo-Qeveritare ‘Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN’, do të organizojë një shfaqje teatrale dhe më pas një panel diskutimi me fokus rëndësinë dhe rolin e barazisë gjinore.
Koordinatori i projekteve në PEN, Bledor Kalleci, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se shfaqja do të jetë në Kino Armata, duke filluar nga ora 17:00 sot (10.12.20) dhe do të pasohet nga panel diskutimi, i cili nis në orën 18:00: “Zakonisht PEN, çdo vit, me datën 10 dhjetor e shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’, në kuadër të kampanjës globale ’16 Ditë Aktivizëm’. Këtë vit do ta sjellim një shfaqje teatrale, ku u kemi jep mundësinë 5 të rinjve dhe të rejave, që me i promovu dhe me i fuqizu si aktorë të rinj. Skenari e regjia janë po ashtu nga këta të rinj. Shfaqja do të trajtojë temën si barazia gjinore dhe normat gjinore. Kryesisht ka me pas përmbajtje se si djemtë nuk angazhohen shumë në punët e shtëpisë ose në përfshirje të barabartë mes vajzave dhe djemve. Mandej, e kemi një panel diskutimi, ku do të jetë Majlinda Sinani- Lulaj, zëvendësuese e Avokatit të Popullit, me të cilën do të diskutojmë për të drejtat e njeriut në Kosovë, a praktikohen të drejtat e njeriut dhe cilat janë ato grupet më të ndjeshme që tërë kohën limitohen nga këto të drejta. Do të flasim edhe për dhunën në Kosovë, e cila është rritur gjatë pandemisë deri në 36 për qind, hulumtim i bërë nga Avokati i Popullit. Ky panel diskutimi ka me qenë live në Facebook, të interesuarit kanë mundësi të parashtrojnë pyetje që lidhen me këto tema.”
OJQ PEN bëjnë të ditur se në Kino Armata, në dispozicion do të jenë vetëm 75 ulëse, por për t’u siguruar se të gjithë të interesuarit do të inkuadrohen, shfaqja do të transmetohet edhe në rrjetet sociale.