Vathët janë ndër aksesorët më të shpeshtë që i vëmë, për t’u dukur sa më bukur dhe sa më elegantë. Por, gjithnjë jemi në kërkim të diçkaje që është e veçantë dhe unike. Të tillë janë vathët dhe bizhuteritë e tjera nga materiali i argjilës, të cilët po i krijon, Diona Hoxha, e cila tanimë ka krijuar edhe një mini-biznes për shitjen e tyre.
Në një rrëfim për Radio KFOR-in, Diona, tregoi se si i erdhi ideja për krijimin e këtyre aksesorëve kaq të veçantë: Unë kam një motër 8 vjeçe dhe gjatë tërë muajve të pandemisë është dashur të zhvillojmë gjëra të reja dhe ta mbajmë atë të angazhuar me diçka. Meqë unë kam pasion për vathë, filluam me kriju vathë. Mu kujtua se argjila është një nga materialet më elastike që mundet me u përdor edhe për bizhuteri. Setin e parë që e kam kriju, nuk ka qenë për shitje. Pasi e kam përfunduar, ia kam dërguar mamit dhe ajo ua ka dërguar të njëjtit shoqeve të sa, dhe kështu është zgjeruar rrethi. Inspirimin për krijimin e këtyre vathëve e gjej kudo: në natyrë, në ngjyra të qiellit, në kombinime të veshjeve, mobileve, etj”.
Diona, tutje thotë se krijimi i këtyre vathëve nuk është puna e saj primare, por më shumë e ka si hobi dhe pasion. Megjithatë, interesimi për ta, ka bërë që ajo të mendohet më seriozisht për të ardhmen e këtij mini-biznesi si dhe ajo pati një mesazh për gjithë të rinjtë: “Kjo është një punë që po e bëj me shumë pasion. Punimet i bëj në punëtorinë që kam në shtëpi, ndërsa të gjitha shitjet po bëhen online. Por, nëse vazhdojnë shitjet me këtë trend dhe nëse gjej kohë me zhvillu pak më shumë, atëherë muj me kriju brend që shitet ndërkombëtarisht. Provoni talentin tuaj, qoftë në vizatim, punëdore apo çka do qoftë. Mos hezitoni. Arti është mirë me u nda në çfarëdo forme apo mënyre që mundemi, sepse bota ka nevojë për ngjyra, për diçka ndryshe dhe e di që secili prej nesh ka diçka të veçantë me i dhënë komunitetit të vetë.”