‘Dita Botërore e Mësuesve’ është një mundësi për të njohur përpjekjet dhe ndikimin e mësuesve në të gjithë globin, mësimi i të cilëve nuk ndalet kurrë.
Sot (05.10.20), në ‘Ditën Botërore të Mësuesve’, Radio KFOR-i morri një prononcim nga mësuesja e klasës së tretë, në Shkollën Fillore “Naim Frashëri”, znj. Synavere Ahmetxhekaj Daci, e cila rëndësinë e kësaj dite e cilëson kësisoj: “Këtë ditë të shënuar për ne mësimdhënësit, e konsideroj si shumë të veçantë, jo vetëm për neve, por për trekëndëshin mësimdhënës-prind-nxënës, pasi që, përmes nesh dhe me kontributin e vazhdueshëm të prindërve dhe përkushtimin e fëmijëve, ne e realizojmë misionin tonë jetik, nxjerrjen e gjeneratave sa më cilësore, që në të ardhmen do të mund të jenë të zotët e vetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh znj. Ahmetxhekaj Daci.
‘Dita Botërore e Mësuesve’ kremton rolin që luajnë mësuesit në ofrimin e arsimit cilësor në të gjitha nivelet. Kjo u mundëson fëmijëve dhe të rriturve të të gjitha moshave, të mësojnë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre lokal dhe në shoqërinë globale.