Me gjithë krizën ekonomike që solli në botë, pandemia e shkaktuar nga ‘CoViD-19’, në fushën e shitjeve online, prodhoi atë që nuk besohet se do të ndodhte në një periudhë kaq të shkurtër. Duke u munduar që të mbijetojnë dhe të vazhdojnë me punë edhe pas pandemisë, kompani nga e mbarë bota, orientuan shitjet e tyre online nga ato fizike. Tash, disa muaj pas shfaqjes së ‘CoViD-19’, blerja e konsumatorëve në internet është rritur ndjeshëm në shumë kategori, e kompani të mëdha kanë raportuar fitime shumëfish më shumë se që ishte parashikuar.
Inxhinieri softuerik, Endrit Toplica, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka treguar anën pozitive që solli gjendja pandemike: “Pandemia ka pasur shumë të këqija mirëpo nga ana e shitjeve online, sidomos për ato kompani që kanë mundur të kalojën nga shitjet fizike në shitje online, ka sjellur fitime të mëdha për këto kompani. Mund ta përmendin këtu shembullin e Aliexpress, i cili nga vitit 2002 nuk është që ka pasur edhe aq shumë shitje, mirëpo me kalimin e viteve është kthyer në një treg shumë të suksesshëm. Tash, gjendja e krijuar si pasojë e pandemisë i ka detyruar dhe u ka hapur rrugë kompanive që duke shkurtuar shpenzimet të rrisin shitjet online. Këtu mundemi me përmend Amazon, që për një periudhë shumë të shkurtër, edhe përgjatë pandemisë shitjet online i ka shumëfishuar. Kjo po vërehet edhe në Kosovë, që goxha shumë po ka reklamime të kompanive të shumta të cilat po shesin online. Kjo është shumë e mirë, ne mundemi me ble nga komoditeti i shtëpisë, pa pasur nevojë me dalë nga shtëpia.”
Ana pozitive e pandemisë është edhe hapja e vendeve të reja të punës online, shembull është gjigandi i shitjeve online Amazon, i cili ka hapur edhe 75.000 vende pune, pas 100 mijë punëtorëve që punësoi në fillim të vitit 2020, e kjo për të përballuar rritjen e kërkesave për shitje online. Ndërkohë Amazon, raportoi edhe fitime marramendëse, ku pronarit të kësaj kompanie, Jeff Bezos, iu rritë pasuria në 74 miliardë dollarë, që nga fillimi i vitit 2020.