Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka publikuar udhëzimet e përgjithshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, në kushtet e kujdesit ndaj pandemisë ‘COVID -19’. MASH ka udhëzuar shkollat që të përgatiten për të tre skenarë të cilët do të implementohen në shkolla, varësisht nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e IKShPK-së (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës) dhe varësisht nga kapacitetet hapësinore e infrastrukturore të shkollave veç e veç.
Pas takimit me kryetarët e komunave, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, është deklaruar për media se mësimi do të fillojë me datën 1 shtator për parashkollor, klasat 1, 2, 3, 6 dhe 9. Në fazën e dytë, që do të fillojë më 7 shtator, do të vijojnë klasat 4 e 5 dhe në fazën e tretë mësimi do të fillojë më 10 shtator për klasat 7, 8 ,9, 11 dhe 12, sipas tre skenarëve të paraqitur.
Ministri Likaj, kabineti i MASH dhe departamentet përkatëse në MASH, janë mobilizuar që me bashkëpunim të mirë të të gjithë akterëve, përfshirë DKA-të (Drejtoria Komunale e Arsimit), shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit e donatorët, do të bëhet e mundur që t’i përgjigjen me sukses sfidave të shumta që paraqet organizimi i mësimit në kushte të pandemisë ‘COVID-19’, në shkollat e Kosovës.