Me shfaqjen e filmave dhe aktiviteteve të ndryshme artistike, të cilat po shfaqen përmes platformave digjitale, Festivali i Filmit të Animuar “Anibar”, po i vazhdon aktivitetet e programit online.
Organizatori i këtij festivali, Vullnet Sanaja, për Radio KFOR-in foli rreth këtij edicionit të 11-të me radhë: “Këtë edicion do t’ua dedikojmë të gjithë atyre që po shërojnë të tjerët, japin mësime, krijojnë, mbrojnë, angazhohen, pastrojnë, shkruajnë, këndojnë, rrëfejnë, shërbejnë, gatuajnë, ndihmojnë, kujdesen, zhvillojnë, ngushëllojnë, mbështesin dhe informojnë”.
Anibar, do të jetë i hapur deri këtë vikend, me datën 23 gusht 2020, ku pjesë e këtij edicioni, do të jenë 139 filma, të cilët do të shfaqen përgjatë 7 ditëve. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit COVID-19, Festivalin Anibar, mund ta ndiqni përmes platformave digjitale, për të cilat mund të informoheni në faqe zyrtare të festivalit dhe përmes mediave sociale.