Me temperaturat e larta dhe thatësira gjatë muajve të verës, rritet edhe nevoja e përdorimit të ujit për plotësimin e nevojave tona për hidratim të trupit, për higjienë dhe për freskim të kopshteve, luleve dhe pemëve. Reshjet e pakta atmosferike që kanë mbizotëruar në dy vitet e fundit, kanë ndikuar që të bie niveli i ujit në dy liqenet artificiale, prej nga edhe furnizohet pothuajse gjysma e Kosovës, në Badovc dhe Batllavë. Sipas raportimeve të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, “Niveli i ujit në liqenin e Badocit me datën 10 gusht, ka qenë 9.50 metra nën nivelin maksimal, ndërsa në atë të Batllavës 4.80 metra nën nivelin maksimal”. Duke marrë për bazë edhe rrezikun në rritje të ngrohjes globale dhe problemeve ambientale, njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen për përdorim racional dhe kursim të ujit gjatë stinës së verës. Kultivimi i zakoneve të mira të ruajtjes së ujit mund të ndihmojë në uljen e kostove të shërbimeve dhe mirëmbajtjes dhe të sigurojë furnizim më të madh me ujë gjatë verës.
Më poshtë lajmit, ju sjellim disa këshilla se si mund ta kursejmë ujin:
- Freskoni oborrin tuaj në mëngjes ose në mbrëmje – Uji avullon shpejt kur dielli është i fortë në mesditë, kështu që spërkateni barin apo lulet kur ka më shumë të ngjarë që uji të qëndrojë në tokë.
- Shkurtoni kohën e bërjes dush – Zvogëlimi për vetëm dy minuta i dushit tuaj mund të kursejë deri në 5000 litra ujë për person në familjen tuaj çdo vit.
- Përdoreni enëlarësen – Me larjen e enëve me duar mund të përdorni deri në 15 litra ujë, krahasuar me vetëm 8 litra ujë që përdorë enëlarësja.
- Mblidhni ujin e shiut në një kovë – Mblidhni ujin që rrjedh nga çatia juaj kur bie shi, duke vendosur një kovë nën rrjedhën e ulluqeve tuaj. Ripërdorni atë ujë për kopshtin tuaj.
- Kurseni kur e lani makinën tuaj – Larja e një makine mund të marrë deri në 100 litra ujë.
- Përdoreni lavatriçen më rrallë dhe me ngarkesë të plotë – Shpesh jemi të prirur të përdorim lavatriçen më shpesh dhe të mbushur gjysmë.
Uji është burim i jetës, shumë i nevojshëm për mirëqenien e të gjithëve, andaj ta ruajmë atë së bashku!