Inspektorët sanitarë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë me monitorimin e zbatimit të vendimit të datës 13 korrik, me anë të së cilit, bartja e maskave është bërë obligative, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ‘Covid – 19’.
Zyrtari për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se sa gjoba janë shqiptuar nga data 24 korrik deri më 2 gusht 2020: “Gjatë kësaj periudhe kohore gjatë inspektimeve në teren janë gjetur në shkelje të masave nga gjithsej 96 persona juridikë, ku ndaj të gjithë shkelësve janë shqiptuar gjobat. Për persona fizik janë shqiptuar 929 gjoba. Këto janë shifrat e gjobave në nivel vendi. Gjobat shqiptohen bazuar në Ligji për kundërvajtje neni 56. Për persona juridik vlera monetare e gjobës fillon nga 500 deri 1000 €, ndërsa gjobat e shqiptuara për personat fizik fillojnë nga 0 deri në 500€”.
Zyrtari Thaçi po ashtu thotë se janë duke operuar me numër të kufizuar të inspektorëve, andaj janë më të ngarkuar me punë për mbulimin e të gjitha aktiviteteve që po u kërkohet, derisa bëri të ditur se të gjitha inspektimet po bëhen në koordinim me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet tjera.
Edhe Policia e Kosovës, në një përgjigje për Radio KFOR-in, njoftuan se po vazhdojnë të jenë të angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Korona virus-it: “Policia e Kosovës kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët, por edhe për vetë zyrtarët policor, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të ndryshme si reagues të parë”.