Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka prezantuar pesë rregulla thelbësore, të cilat duhet t’i respektojmë secili prej nesh, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e pandemisë ‘Covid – 19’.
Kjo është bërë me qëllim të ngritjes së vetëdijes tek qytetarët për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të tjerëve.
Sipas IKSHPK-së, këto janë pesë rregullat kundër Korona Virusit:
1. Vendos maskën
2. Apliko distancën fizike
3. Pastroni duart shpesh
4. Dezinfektoni vazhdimisht duart dhe sipërfaqet
5. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës
Përveç respektimit të këtyre rregullave, dje është njoftuar nga Qeveria se ditëve në vijim do të ndërmerren masa më rigoroze mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
E gjithë kjo po bëhet pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me ‘Covid – 19’. IKSHPK ka njoftuar mbrëmë se me 12 korrik, nga testimi i 493 mostrave, 216 kanë rezultuar pozitive. Numri total i rasteve pozitive është 4.931 raste nga 28.216 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 102 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Dje, më 12 korrik 2020, janë shëruar 40 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.267 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.562.