‘Si ta luftojmë Patriarkalitetin’ – kështu është titulluar edicioni i radhës i programit inovativ ‘Volume Up’, që realizohet nga Revista ‘Kosovo 2.0’, i paraparë të mbahet online nesër, më 9 korrik, duke filluar nga ora 13:00.
Në një përgjigje për Radio KFOR-in, menaxherja e Programit në këtë Revistë, Aulonë Kadriu ka thënë se ky edicion i ‘Volume Up’ përbëhet nga një intervistë në mes të gazetares egjiptiano-amerikane, Mona Eltahawy dhe redaktores së Revistës ‘Kosovo 2.0’, Bronwyn Jones. Përveç intervistës, me pjesëmarrësit e regjistruar do të zhvillohet një masterklasë, ku Mona Eltahawy do të flasë për shkrimin në formatin e esesë dhe rëndësinë që ky format e ka në punën e saj. “Volume Up është një program inovativ i K2.0 që fokusohet në rolin që media dhe komunikimi luajnë në veprimet avokuese të shoqërisë civile. Programi eksploron mënyrat në të cilat format inovative të prodhimit të medias mund të përdoren për ta ngritur vetëdijesimin e njerëzve, nxitjen e debateve publike dhe së fundmi të kërkojnë më shumë prej institucioneve të qeverisë. Përmes këtij programi, K2.0 synon ta trajtojë mënyrën në të cilën media bashkëkohore po i adreson të drejtat e njeriut”.
Tutje, menaxherja Kadriu ka treguar se intervista do të transmetohet online në webfaqen e ‘Kosovo 2.0’, teksa për të marrë pjesë në masterklasë të interesuarit duhet të regjistrohen përmes www.whatifwehope.com. “Të gjithë ata/ato që janë të interesuar për të ditur më shumë rreth punës së Mona Eltahawy dhe rreth asaj që ajo ka për të thënë, ku bëhet fjalë për patriarkinë dhe mënyrat se si mund ta sfidojmë atë ,janë mëse të mirëseardhur të na bashkohen”.