Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse keni sens humori, është duke hyrë në thellësi të humorit të një vendi tjetër. E qeshura është e njohur universalisht si shprehje dëfrimi dhe tregimi i shakave është dhunti e njerëzve që kanë prirje humoristike.
‘Dita Ndërkombëtare e Shakasë’, 1 korriku, duket se i ka fillesat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shakaja në gjenezë i ka rrënjët në kontinentin e vjetër në Evropë, në Greqinë e lashtë. Humori është shpesh tregues i nivelit kulturor dhe intelektual. Shprehja klishe “Shakaja është gjysma e së vërtetës”, tregon se humori ngrihet mbi një realitet të parë nga një këndvështrim komik.
Në humor qeliza është barsoleta, pastaj kalojmë te komedia, satira e zhanre më të sofistikuara. Lidhur me faktin se kush priret më tepër për të bërë shaka, vlerësohet se humori ka të bëjë me nivelin e optimizmit të çdo populli.
E meqenëse të bënë të qeshësh, nuk duhet harruar se shkenca vlerëson se e qeshura ulë stresin, djeg kaloritë e tepërta dhe vë në lëvizje rreth 400 muskuj. Sipas kërkuesve 100 të qeshura janë të barasvlershme me 10 minuta aerobik.