Nga data 20 deri më 25 gusht 2020, në etno-kompleksin e Fshatit Kukaj, do të mbahet edicioni jubilar i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale ‘Etno Fest’.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin artistik të këtij Festivali, Ilaz Hysajn, i cili tregoi më shumë detaje për organizimin e sivjetmë: “Këtij edicioni të 10-të do t’i qasemi përmes 10 shtyllave programore, ku do të kemi ekspozita të shumta, koncerte, rite të vjetra, etno performanca, shfaqje teatrore, kulinari tradicionale, zeje të vjetra e artizanale, debate, biseda odash, promovime librash, punëtori kreative në interaksion me publikun, kostumografi bazuar në traditën, filma dokumentarë dhe etno ndeja”.
Z. Hysaj, tha gjithashtu se hapësira në të cilën do të organizohet Festivali, është mjaftueshëm e gjerë për t’i zbatuar të gjitha rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës në lidhje me pandeminë ‘Covid – 19’, derisa ju ka bërë thirrje edhe dëgjuesve të Radio KFOR-it që të bëhen pjesë e këtij Festivali: “Etnokompleksi në Kukaj ka shumë hapësira të mëdha dhe të hapura që na mundësojnë t’i zbatojmë me përpikëri rekomandimet e ISHPK-së, varësisht nga evoluimi i situatës. Besoj se dëgjuesit tuaj në këtë Festival do të gjejnë një frymë dhe oksigjen shpirtëror për të cilin kemi nevojë më shumë se kurrë”.