Shoku apo shoqja më e ngushtë është një person me të cilin ndajmë të gjitha përjetimet tona në jetë, që nga hidhërimet, gëzimet e deri te sukseset më të mëdha që shënojmë.
Për shumë fëmijë, shokët e parë më të ngushtë janë prindërit e tyre, me të cilët ndajnë çdo gjë. Të jesh shoku/shoqja më e ngushtë e fëmijës tënd, ka përparësi të shumta, sepse fëmijët ndajnë çdo gjë me ju dhe në rast se fëmijët gabojnë, atëherë ju si prindër jeni aty për t’i korrigjuar gabimet e tyre. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur kujdes që fëmijët të mos ndihen të ‘ngulfatur’ nga kujdesi i tepruar i prindërve.
Në vazhdim, Radio KFOR-i ju sjell disa këshilla se si të bëheni shokë të ngushtë me fëmijët tuaj dhe që ata të mos ndihen të kufizuar nga ju:
* Fëmijët ndjekin shembuj – fëmijët ju mbikëqyrin dhe nëse shohin se ju nuk po veproni ashtu siç po i këshilloni, atëherë ata mund të mos ndjekin rekomandimet tuaja. Andaj, këshilloni fëmijët për diçka që e praktikoni edhe ju.
* Inkurajoni ata – gjithmonë ua kujtoni atyre anët pozitive që kanë. Fëmija juaj mund të mos jetë i mirë në disa gjëra, por ia rikujtoni atij se sa i suksesshëm është në disa gjëra tjera. Shprehuni krenarë me të. Kjo do t’i bëjë ata që të mundohen akoma më shumë.
* Lini të marrin vendimet vetë – rregulli bazë i të qenurit shok i ngushtë me fëmijët tuaj është t’i trajtoni ata të barabartë me ju. Përfshini edhe ata në vendimmarrje në shtëpi. Kërkoni mendimin e tyre kur doni të ndryshoni diçka në shtëpi, sepse kjo i bën që ata të ndihen të rëndësishëm.
* Mos i mbroni shumë – ata janë fëmijët tuaj, por kjo nuk nënkupton që ju duhet të kontrolloni çdo gjë në jetën e tyre. Lini të bëjnë edhe gabime, sepse mësojnë prej tyre.
* Respektoni zgjidhjet e tyre – ju dëshironi që fëmija juaj kur të rritet të bëhet mjek, por në vend të kësaj, ai është i interesuar për artin. Diskutoni me ta për gjërat që më të mira për të ardhmen e tyre, por mos ua impononi vendimet.
Si prindër, mos harroni të qëndroni çdo moment pranë fëmijëve tuaj, pasi studimet e ndryshme sociale kanë vërtetuar se ndërtimi i raporteve të besueshme dhe komunikuese prindër – fëmijë, i mbron veçanërisht adoleshentët nga sjelljet e rrezikshme.