Solo këngëtarja e njohur kosovare me famë ndërkombëtare dhe njëherazi sopranoja Besa Llugiqi, vazhdon të ngjitet në skenat më prestigjioze botërore, pas një pushimi të shkurtër nga skena, për shkak të ardhjes në jetë të vajzës së saj, Luna.
Kësisoj, sot në sheshin kryesor të qytetit Vidin, në Bullgari, ku pritet të mbretëroj një atmosferë e jashtëzakonshme pranë lumit Danub, do të shfaqet opera e mrekullueshme “La traviata”, ku protagoniste është vet sopranoja.
Megjithëse e zënë rreth provave gjenerale para koncertit, sopranoja Besa Llugiqi, për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, na tregoi më shumë rreth kësaj përvoje dhe emocioneve që ajo ka para performancës së sontme.
“Është një eksperiencë e jashtëzakonshme, pas një pushimi të shkurtë dhe të bukur me Lunën time të vogël, me shumë vullnet po rikthehem në rolin kryesor të Traviatas. Jam e rrethuar me njerëz dhe shoqëri të mirë, me një produksion fantastik. Do të këndoj përkrah Ivailo Mihailov -tenor në rolin e Alfredos dhe Ivan Kabamitov në rolin e Zhermos. Përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e radio KFOR-it dhe faleminderit për përkrahjen tuaj”, u shpreh e kënaqur sopranoja Llugiqi.
Dirigjent i shfaqjes “La traviata”, është Vladimir Boshnakov, kurse regjisor është Ognian Draganof.
Në emër të Radio KFOR-it, i urojmë suksese Besës!