“Gratë në Energji”, është ky projekt i Qeverisë Amerikane dhe Agjencisë “Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit” (MCC), kurse implementohet nga Fondacioni “Millennium” i Kosovës, me qëllim të përkrahjes së grave që merren me sektorin e energjetikës.
Pjesa e parë e projektit “Gratë në Energji” filloi të implementohet vitin e kaluar, duke i dërguar 28 gra kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të ditur më shumë rreth këtij projekti, Radio KFOR-i kontaktoi, drejtorin ekzekutiv të Fondacinit “Millennium”, Petrit Selimi, nga i cili mësoi: “Vetëm vitin e kaluar ne i kemi dërguar 28 gra kosovare për studime dy vjeçare në Amerikë, të paguara nga ne. Ato tani janë duke studiuar dhe kur të kthehen në Kosovë janë të obliguara të punojnë në fushën e energjisë, në fushën e energjisë solare dhe të frymës. Pas këtij projekti , tash është programi i dytë, “Programi i punës praktike” për ato gra që janë në studime apo që i kanë përfunduar studimet, do t’iu mundësojmë praktikë për gjashtë muaj në kompani të ndryshme, duke u paguar nga ne. Të interesuarat mund të na vizitojnë, përmes faqes millenniumkosovo.org, duke klikuar në linkun ‘Women in Energy’ dhe aty do të gjejnë informata në tri gjuhë; shqip, serbisht dhe anglisht”, kështu tha Z. Selimi.
Ai më tutje njoftoi se përveç kësaj mundësie, në fillim të stinës së pranverës, do të fillohet edhe me programin e tretë, ku do të ofrohen grante për ndërmarrëset gra, duke ua mbuluar shpenzimet dhe investimet në prodhim apo edhe në mjete të investuara.