Për herë të parë ndonjëherë, Parku Kulturor “Ali Podrimja”, do të sjell për admiruesit e muzikës Jazz, Jazz Kuartetin e njohur “GESUNDHEIT”, në përbërje të Visar Kuçit (kitarë), Enes Beut (Tupana), Dukagjin Muxherit (Saksofon) dhe Fatlind Feratit (Bass).
Kjo ngjarje Jazzi do të zhvillohet këtë të diele (5 gusht), në ora 21:00, në Parkun Kulturor në Gjakovë.
Për të mësuar më shumë rreth përmbajtjes së këtij Jazz koncerti, Radio KFOR-i kontaktoi Koordinatorin Logjistik në Parkun Kulturor “Ali Podrimja”, Ardi Curri, i cili i entuziazmuar u shpreh:
“Jemi shumë të emocionuar që po e sjellim për herë të parë në qytet Jazz Kuartetin “GESUNDHEIT”, me super muzikantë, fokusi i të cilëve është që të interpretojnë komponimet e Jazz kompozitorëve dhe muzicientëve të mëdhenj, në mënyrën dhe aranzhimet e tyre origjinale, përfshirë të gjitha stilet e muzikës Jazz si: Swing, Bebop, Latin, Funk, Fusion, etj”, theksoi Curri.
Sa i përket grupit që do të performoj në këtë natë në Gjakovë, vlen nënvizuar se nga nevoja e madhe e qytetit pa lumë (Prishtinës) për “Jazz”, si një simbiozë ndërmjet dy anëtarëve të “Trio of Love” dhe dy anëtarëve të “Om Quartet”, në shtator te vitit 2017 u formua Jazz Kuarteti me emrin “GESUNDHEIT”, që e përkthyer nga Gjermanishtja do të thotë “Shëndet” ose “Me shëndet”.
Të gjithë anëtarët e kuartetit janë njëherit edhe kompozitorë dhe multi-instrumentistë, të përfshirë në projekte e grupe të ndryshme të skenës muzikore të Kosoves, në zhanre të ndryshme si: Jazz, Blues, Alternative Rock, Pop & Hip-Hop.
Parku Kulturor “Ali Podrimja”, është një projekt i nisur nga një iniciativë vullnetare nga rinia e Gjakovës në vitin 2017 dhe nga qershori i vitit 2018 kanë nisur edicionin e dytë të aktiviteteve që përmbajnë shfaqjen e filmave, muzikës dhe disiplinave tjera të kulturës dhe artit.