Një flautiste e zonja, e talentuar , pjesëmarrëse në koncerte të shumta të muzikës klasike vendore dhe ndërkombëtare, e kjo është Hysnie Latifaj, e cila ishte sot (15.03.19) mysafire në studion e Radio KFOR-it, në kuadër të emisionit “Macchiato Lounge”, me moderatoren Trëndelina Duli.
Emisioni filloi me tingujt e flautës, të interpretuara nga Hysnija, e cila pastaj tregoi shumë gjëra rreth këtij instrumenti si dhe rreth pjesëmarrjes së saj në Festivalin „Tingujt e Flautit“, që veçse ka filluar më 13 janar dhe do të zgjasë për gjashtë muaj me radhë, duke ofruar për artdashësit koncerte, master klassa dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Ajo për Radio KFOR-in, tregoi për fillimet e karrierës së saj si dhe zbuloi datën e koncertit të saj të parë:
“Me flautë merrem që nga mosha 10 vjeçare. Në fillim nuk e kam dashur shumë, kisha dëshirë të merrem me piano, mirëpo me kalimin e kohës e kuptova që flauta është instrumenti që më pëlqente më shumë. Gjithashtu dua që të ju tregoj se më 20 mars, do ta mbaj koncertin tim të parë, ku me këtë rast do të interpretoj vepra të kompozitorëve të ndryshëm, të cilat do të jenë të përcjellura edhe me kitarë.”