2023-ta mund të cilësohet si një vit shumë aktiv në teknologji dhe inovacione, të cilat kanë bërë që bota të mos jetë më njësoj. Radio KFOR-i ju sjell një përmbledhje të ngjarjeve teknologjike vjetore, e padyshim që e fillojmë me inteligjencën artificiale. Një punë e madhe ishte duke u bërë prej vitesh për të sjell revolucion. Ishte kompania OpenAI që publikoi prototipin e parë të chatbot-it me inteligjencë artificiale ChatGPT. Diçka që vetëm pak muaj më parë ishte parë si një e ardhme e largët, tashmë është pjesë e të gjitha shoqërive dhe inteligjenca artificiale pritet të jetë tema kryesore edhe gjatë vitit 2024. Duhet patjetër të përmendim që pas krijimit të “ChatGPT” qëndron vajza me prejardhje shqiptare, Mira Murati.
Viti 2023 prodhoi shumë lajme edhe nga hapësira. Në vitin 2023, NASA arriti që të prodhoje oksigjen në Mars. NASA ka arritur që të prodhojë mjaftueshëm oksigjen, ndërkohë Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara hapi faqen online, në të cilën gjenden informacione publike dhe të qasshme, për fenomene fluturuese të pashpjeguara ndryshe të njohur si UFO.
Nga viti 2023, Twitter si emër nuk ekziston më, pasi u bë tani ‘X’, me kërkesë të pronarit Elon Musk, ndërkohë Spotify, nuk është më vetëm platformë muzikore. Nga viti 2023, Spotify ofron edhe një bibliotekë prej 150 mijë “audiolibrash” për abonentët e tyre. Kjo bibliotekë ofron 15 orë qasje në shërbim çdo muaj. Po në vitin 2023, kompania Amazon lansoi një shërbim të dedikuar të dërgesave ajrore në Indi, Amazon Air, teksa njoftuan se dërgimi ajror i porosive, do të zgjerohet në mbarë botën.