Një vit i hatashëm teknologjik ka qenë 2022-ta. Nga telefonat e mençur e deri tek realiteti virtual, robotika, universi ynë, e shumë e shumë zbulime të tjera, ishte ky vit që po e lëmë pas. Një nga ngjarjet historike të vitit 2022, na erdhi nga fusha e hapësirës, më konkretisht nga NASA. Teleskopi më i fuqishëm dhe i sofistikuar në botë James Web, i cili u lëshua në hapësirë në fundin e vitit 2021, tek në 2022 na i solli edhe pamjet e para të hapësirës, ato që me të drejtë u konsideruan pamjet më magjepsëse dhe pamjet historike të hapësirës, pasi për herë të parë banorët e Tokës, i panë me një rezolucion të lartë se si duket Universi. Agjencia amerikane e fluturimeve në hapësirë, njoftoi se James Webb do të udhëtojë rreth 1.5 milionë kilometra në hapësirë dhe shkencëtarët shpresojnë që me fotografitë e marra nga teleskopi në fjalë, të fitojnë njohuri për kohën pas Shpërthimit fillestar – Bing Bang-ut, momentit të parë të krijimit të materies, kohës dhe hapësirës, me një llogaritje rreth 13.8 miliardë vjet më parë.
Një lëvizje revolucionare në botën e mjekësisë, u shënua me ndihmën e teknologjisë në 2022-tën. Gjaku i krijuar në laborator, është testuar edhe tek njerëzit, në provën e parë klinike të këtij lloji në botë, nga studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar. Sasi të vogla, të barabarta me disa lugë çaji janë testuar për të parë se si funksionon ai brenda trupit të njeriut.
Viti 2022, ishte edhe vit i inovacioneve robotike. I emërtuar Ai-Da, është ky roboti i parë më realist humanoid në botë, i prodhuar nga kompania britanike Engineered Arts, në vitin 2022, që solli versionin e perfeksionuar Ameca. Nga viti 2022, roboti në fjalë edhe mund të ecë. Kur jemi tek robotët, për një të tillë tash e 3 vite, është duke punuar edhe kompania Tesla e Elon Musk. E një prototip i hershëm i robotit humanoid Optimus, është prezantuar nga Tesla, në vitin 2022, i cili madje në prezantimin e tij ka bërë një ecje në skenë dhe ka përshëndetur një turmë njerëzish që brohorisnin.