‘Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gazetarëve’, shënohet për të përkujtuar të gjithë ata gazetarë që kanë humbur jetën ndër vite, gjatë kryerjes së detyrës profesionale.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), një organizatë me bazë në New York dhe që mbron lirinë e shtypit, ka treguar se vetëm gjatë vitit 2018 janë vrarë së paku 43 gazetarë. Shifra e dhënë përfshin gazetarët që humbën jetën në vijën e zjarrit, duke mbuluar konflikte ose detyra të rrezikshme.
Për të shënuar këtë ditë Radio KFOR-i kontaktoi, gazetaren e punësuar në Radio Kosova, Drita Miftari, e cila tregoi se këtë ditë më së vështiri e përjetojnë gazetarët kudo në botë, të cilët kujtojnë me respekt të gjithë gazetarët e rënë:
“Në shënimin e ditëve të tilla gjithnjë sensibilizohemi dhe i bëjmë një rezyme vitit paraprak, apo vitit në të cilin jemi, kujtojmë kolegët tanë të rënë kudo qofshin ata, që të gjithë një qëllim kishin, që opinionit t’i sjellin informacionin –lajmet. Gazetarët kanë bashkë vuajtur krah atyre që kishin nevoj. Ata bënë një fotografi që dikush nuk i pëlqente, kanë regjistruar në video që dikujt nuk i pëlqente, bënë pyetje që dikush vendosi se ishin të pavenda, shkruan artikuj që dikush mendoi se nuk duheshin shkruar, pra gazetari çdo ditë, çdo vit e vë në rrezik jetën për të sjell lajme dhe informacionet më të reja.”