‘Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve’ shënohet çdo vit më 12 qershor dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin global mbi shfrytëzimin e fëmijëve në punë dhe të nxisë veprime konkrete për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Kjo ditë është një thirrje për qeveritë, organizatat ndërkombëtare, bizneset, sindikatat dhe shoqërinë civile që të bashkojnë forcat në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, duke siguruar arsim, mbrojtje dhe një fëmijëri të sigurt për ta.
Në të gjithë botën, miliona fëmijë janë të detyruar të punojnë në kushte të rënda, shpesh pa mbrojtje, pa arsim dhe pa të drejta themelore. Kjo ditë shërben si një kujtesë e fortë se përparimi drejt zhdukjes së punës së fëmijëve, është i mundur vetëm përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve të qëndrueshme.
Fëmijët kanë të drejtë të jenë fëmijë. Të luajnë, të mësojnë dhe të rriten në një mjedis të sigurt. Asnjë fëmijë nuk duhet të detyrohet të punojë për të mbijetuar apo për të ndihmuar ekonominë familjare në kurriz të së ardhmes së tij.







