Të qëndruarit në shtëpi për një kohë të gjatë, nganjëherë është sfiduese, mirëpo në një situatë të tillë, ekspertët mjekësor rekomandojnë që të jemi të kujdesshëm ndaj mënyrës se si ushqehemi. Në vazhdim Radio KFOR-i ka prgatitur për ju një listë me ushqime të shëndetshme, të cilat do të ishte mirë që t’i konsumoni gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në shtëpi:
- Fruta dhe perime të freskëta – Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të konsumoni të paktën 400 gramë fruta dhe perime në ditë, si: portokall, mandarina, gejfruta, banane, mollë, karrotë, rrepë, panxharë, lakër, brokoli, hudhër, qepë, xhenxhefil e të tjera, të cilat mund të ruhen në shtëpi për një kohë më të gjatë.
- Fruta dhe perime të ngrira – ju mund të blini fruta të ngrira, si: ananas, mango apo manaferra, pasi ato mbajnë një sasi të madhe të fibrave dhe vitaminave. Ato mund të shtohen në lëngje, smothie ose drithëra. Po ashtu, edhe perimet e ngrira, si kërpudhat, spinaqi, bizelet e të tjera, janë ushqyese dhe gatuhen shpejt.
- Fasule të thata dhe të konservuara – fasulet, bizelet dhe bishtajoret e tjera janë burim i proteinave bimore, fibrave, vitaminave dhe mineraleve.
- Orizi, patatet apo makaronat, buka – pasi ruajnë vlerat ushqyese për një kohë të gjatë.
- Fruta të thata, si arrat apo farat – ato mund të konsumohen në vakte të ndryshme, e po ashtu të shtohen në drithëra, sallata apo ushqime tjera.
- Vezët – janë një burim i vlefshëm i proteinave dhe lëndëve ushqyese.
- Peshku i konservuar – tuna e konservuar, sardelet e të tjerat shërbejnë si burim i proteinave dhe yndyrnave të shëndetshme.
- Qumësht me më pak yndyrë – produktet e qumështit po ashtu janë burim i proteinave dhe lëndëve tjera ushqyese.
Andaj, mos harroni të ushqeheni sa më shëndetshëm dhe të bëni aktivitete fizike për të ruajtur shëndetin dhe energjinë.