Dita Ndërkombëtare e KFOR-it u mbajt dje (01.07.18) në kampin e Kosova Filmit, në Prishtinë, me qëllim të promovimit të diversitetit kulturor të KFOR-it. Aktivitete dhe kuzhina të ndryshme u ofruan nga 28 vende të cilat i mirëpritën mysafirët, duke ju treguar mikpritjen dhe kulturën e secilit komb që kontribuon në kuadër të forcave paqëruajtëse të KFOR-it.
Befasia kryesore e kësaj ngjarje, ishte pjesëmarrja e ekipit akrobatik të njësisë italiane dhe kroate të parashutistëve, të cilët u lëshuan me parashutë. E për ta bërë edhe më madhështore këtë ditë, të ftuar ishin edhe këngëtarë e valltarë nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë, të cilët nuk hezituan të shprehin kënaqësinë e tyre përmes valëve të Radio KFOR-it.
“Jam Rinesa Rudari, valltare e Grupit “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova. Performanca jonë ka qenë mjaft e mirë edhe siç jemi ne të hareshëm si valltarë, i them të gjithë të rinjëve vetëm vallëzoni dhe buzëqeshni, sepse bota është e vogël. Të gjithëve ju kisha dëshiruar sa më shumë hare edhe buzëqeshje, sepse buzëqeshja është mbi të gjitha por besoj se ka me mbizotëru dashuria në mes të gjitha vendeve të botës.”
“Unë jam Miljana Slavic, jam 14 vjeçe dhe jam nga Lepina. Këtu është shumë e bukur, sepse është një manifestim ndërkombëtar, ka njerëz të kombeve të ndryshme, besimeve të ndryshme dhe kam takuar disa prej tyre. Të tjerëve u them të vijnë dhe të rrinë së bashku, të takohen me njëri-tjetrin.
E për t’ju dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, mbajti një fjalim rasti, cili ndër të tjera tha:
“Tani është koha që populli i Kosovës të ecë përpara drejt një të ardhme të begatshme me nderim të pasurive të ndryshme, vlerave të ndryshme historike dhe simbolizmit të madh nga e kaluara. Fëmijët paraqesin të ardhmen tonë, ata do të mësojnë nga shembujt tanë që integrimi kulturor është çelësi për një të ardhme më të ndritshme. Ju dëshiroj një ditë të këndshme, duke eksploruar dhe marr pjesë në aktivitete të ndryshme, gjersa në zemrat tuaja përmbajuni motos sonë – Përkushtim iqëndrueshëm!”,kështu tha, Gjeneral Cuoci.
Dita Ndërkombëtare e KFOR-it filloi në orën 14:00 për tu përmbyllur në orën 18:00. Si çdo herë edhe kësaj radhe, nuk mungoi as muzika e Radio KFOR-it e cila ishte pjesë shoqëruese gjatë gjithë kohës, mirëpo edhe stafi i Radios të cilët e udhëhoqën këtë ngjarje multietnike dhe multinacionale.