Ndihma ndaj të tjerëve është hapi i parë për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar. Gjithashtu, duke ndihmuar, ju përmirësoni jetën e atyre që nuk e kanë pasur fatin tuaj.
Studimet e shumta sociale thonë se njerëzit që ndihmojnë të tjerët janë më të lumtur si dhe jetojnë më gjatë. Se nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa t’i ndihmosh të tjerët, e thotë për Radio KFOR-in, Logopedi, Blend Sahiti, i cili angazhohet vullnetarisht në aktivitete të shumta humanitare: “Nuk ka nder dhe privilegj më të madh se t’i ndihmosh të tjerët, në çdo kohë dhe jo vetëm në kohë të rënda. Kur kam ndihmuar, ka raste që kanë qenë vërtetë të prekshme, por më së shumti më ka prekur rasti i një nëne në Prishtinë, e cila ishte duke luftuar me jetë dhe në të njëjtën kohë nuk dëshironte të dinte për asgjë tjetër, përveç nëse i kam dhënë ushqim djalit të saj. Aty kemi shpërthyer të gjithë në lotë. Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur i zgjatë dorën dikujt për t’i ndihmuar. Mundoheni ta vendosni vetën në pozitën e tyre dhe mendoni se si do ishit ndjerë sikur t’ju ndihmonte edhe juve dikush. Andaj, mos u ndalni së bëri mirë, sepse do të gjeni mirë.”
Duke ndihmuar të tjerët, ju mund të bëni ndryshimin që dëshironi ta shihni në botë!