‘Ne k’shtu lëvizim, është motoja e aktivitetit të Hendikosit, për të shënuar për herë të parë në Kosovë ‘Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës’, kurse në vendet tjera kjo datë shënohet që nga viti 2008. Për të mësuar më shumë se si i gjen kjo datë personat me karroca në Kosovë, Radio KFOR-i kontaktoi me menaxherin e programit të shërbimeve sociale për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara, në HENDIKOS, Durim Gashin: “Akoma nuk munden të lëvizin lirshëm në hapësirat e qytetit dhe vendet ku ajo ose ai jeton, pikërisht për shkak të këtyre barrierave fizike dhe sociale të cilat janë ngritur nga shoqëria jonë, nga ne. Çka duhet ne si shoqëri të veprojmë është që fillimisht të besojmë në aftësitë e tyre, të shohim nga këndi i të drejtave, ku nëse unë kam të drejtë të lëviz lirshëm përgjatë sheshit të kryeqytetit dhe mos të kem problem t’i kaloj dy apo tri shkallë të cilat janë për tu kyçur deri tek komuna, apo tek ndonjë institucion tjetër, apo edhe në ndonjë restaurant, atëherë edhe një përdorues i karrocës e ka atë të drejtë. Mjafton të largohen ato barriera dhe të vendosen rampe të cilat e ndihmojnë kyçjen në objekt, të përshtaten hapësirat, tualetet dhe krejt karshi kësaj, kur të ballafaqohemi me ndonjë person me aftësi të kufizuar është shumë e rëndësishme të kemi një qasje që është e bazuar në të drejtat e njeriut”, tha për Radio KFOR-in, Durim Gashi. Për të treguar rëndësinë, të kuptuarit dhe ndikimin pozitiv të posedimit të pajisjeve ndihmëse, sot tek Sheshi Skënderbeu, duke filluar nga ora 20:30 do të filloj me një marsh me gjithë përdoruesit e karrocave. Në fund, tek Amfiteatri i Qytetit, do të zhvillohet një lojë basketbolli me karroca si dhe një vallëzim i përbashkët me gjithë të pranishmit.