Të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë në mesin e kategorive që kanë përfituar nga donacionet e shumta të KFOR-it në kohë pandemie, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, e cila ka ndikuar edhe në mirëqenien e qytetarëve. Sot (20.08.20), Njësiti CIMIC (Bashkëpunimi Ushtarak Civil) i KFOR-it, ka dhuruar tabela interaktive dhe llaptopë, për gjashtë shkolla të Komunës së Shtërpcës, në të cilat vijojnë mësimet nxënës të Komunitetit Shqiptar dhe atij Serb.
Fëmijët janë e ardhmja, andaj duhet investuar në edukimin e tyre veçanërisht në kohë pandemie, tha për Radio KFOR-in, komandanti i Komandës Regjionale – Perëndim, Koloneli, Gianluca Figus, i cili ishte i pranishëm në pranim-dorëzimin e këtij donacioni dhe shtoi: “Sot kemi organizuar një donacion për gjashtë shkolla të Komunës së Shtërpcës, ku kemi dhuruar gjashtë tabela interaktive dhe gjashtë llaptopë, për fëmijët e Shtërpcës. Ata janë e ardhmja jonë, kështu që fëmijët e Shtërpcës do të përfitojnë nga ky donacion. Gjithashtu ata do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë këta llaptoptë gjatë kohës emergjente të pandemisë ‘CoViD-19’ dhe kështu më së shumti nga ky donacion, do të përfitojë edukimi. ‘CoViD-19’ nuk do të na ndal kurrë, sepse ne do të vazhdojmë t’i mbështesim institucionet e Kosovës, mbi të gjitha, në edukimin e fëmijëve të tyre.”
I pranishëm në ceremoninë e sotme ishte edhe asistenti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, kolonel-lejtnant, Jonny Borjesson, i cili në një prononcim për Radio KFOR-in, tha se këto mjete teknologjike do të rrisin bashkëveprimin mes të rinjve: “Ky është një përfitim për të gjithë fëmijët e kësaj lagjeje. Ata do të kenë një bashkëveprim të mirë mes vete, përmes trajnimeve të ndryshme. Kjo vërtetë është e mirë për Kosovën, trajnime për komunitete, veçanërisht për shkollat dhe nxënësit dhe për të ardhmen e Kosovës.”
Falënderimin për ndihmën e vazhdueshme nga KFOR-i, e shprehu edhe drejtoresha e Shkollës Fillore, “Osman Mani”, Ganimete Xhemajli, e cila tha se furnizimi me pajisje teknologjike është më se i mirëseardhur për gjeneratat e reja:“Ky donacion është shumë fitimprurës dhe na vjen mirë që shkolla jonë ka përfituar nga ky projekt, megjithëse KFOR-i na ka ndihmuar gjithmonë në çdo aspekt, sidomos për nxënës e për shkolla. Nxënësit do të jenë të lumtur, sepse shkollat tona nuk janë aq sa duhet të furnizuara me teknologji.”
Nikoqir i ceremonisë së sotme ishte drejtori i Shkollës Fillore “Staja Markovic”, Cedomir Nikolic, i cili përveç që ishte mirënjohës për bashkëpunimin korrekt të KFOR-it, pati edhe një mesazh për të gjithë nxënësit: “Unë jam shumë falënderues për këtë donacion, por do të kërkoja edhe më shumë ndihmë, sepse shkolla ka një numër të madh të nxënësve për kushtet që ka. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me KFOR-in, posaçërisht me KFOR-in polak, të cilët ndodhen këtu. Mesazhi im për fëmijët është që të tejkalojnë këtë situatë pandemike, të adaptohen me situatën aktuale dhe të mësohen me këtë mënyrë të re të edukimit.”
Tabelat interaktive do ta bëjnë mësimin më atraktiv dhe më të lehtë për ta kuptuar, thotë 14 vjeçja, Natalija Nikolic, e cila vijon mësimet në klasën e tetë të Shkollës Fillore “Staja Markovic”: “Ne do ta kemi më të lehtë që të mësojmë me ndihmën e këtyre tabelave. Kemi përfituar shumë nga to.”
Ekipet e KFOR-it, të pranishme në këtë ceremoni u zotuan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre për një ambient paqësor dhe të sigurt, duke u dalë në ndihmë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.