Në këtë dinamizëm jetësor që pothuajse të gjithëve na ka kapluar, koha e lirë është gjithnjë e më e paktë dhe për shumkë të qenurit i/e lirë ndodh rrallë, për të mos thënë fare. Megjithatë, secili prej nesh kemi nevojë për tu shkëputur nga përditshmëria që shpesh mund të jetë e mundimshme e stresuese.
Kohë e lirë konsiderohet koha e kaluar pa obligime, larg nga biznesi, larg nga puna, nga punët e shtëpisë, nga shkolla, studimet, përgjithësisht koha e lirë është një kohë për t’u çlodhur nga java e kaluar dhe për të realizuar diçka argëtuese.
Po çfarë na thonë disa nga dëgjuesit tanë në lidhje me këtë temë, e mësojmë në vazhdim:
“Zakonisht gjatë ditëve të punës, kam shumë pak kohë të lirë, përveç mbrëmjeve, me ç’rast mundohem ti shfrytëzoj me familjen, të kyqem online në rrjete sociale apo të shikoj televizor, por kohën më të lirë e kam gjatë ditëve të vikendit, përgjatë të të cilave mundohem me i ikë qytetit, me vizitu ndonjë ambient të hapur, në natyrë ”, pohoi për Radio KFOR-in, Astrit Hoxha, përderisa Magi Konjufca kohën e lirë e shfrytëzon ndryshe:
“ Meqenëse punoj dhe nuk është se kam aq shumë kohë të lirë, atë që e kam mundohem ta shfrytëzoj duke shëtitur ose duke bërë shoping, sepse sidomos kjo e fundit, sikur më jep energji më shumë për ditën që vjen”.
Ndërsa gazetarja, Hafize Elshani ka këtë përceptim përsa i përket kohës së lirë dhe mënyrës se si të rinjtë në përgjithësi po e shfrytëzojnë sot atë:
“Zakonisht pyes veten, a kemi kohë të lirë apo kohë të humbur, e kjo pyetje më vjen natyrshëm, marrë parasysh faktin që posa të dal nga shtëpia për në punë, takoj njerëz të shumtë në kafeteri të vendit, të cilët shpenzojnë orë të tëra me telefona në duar, duke u distancuar nga socializimi me njerëz që i kanë në tavolinë”, theksoi Hafizja, duke shtuar poashtu se ajo kohën e lirë e shfrytëzon duke lexuar botime, kryesisht enciklopedike, duke shikuar dokumentare, e gjëra të tilla që asaj i shërbejnë.
Do të ju rekomandonim që të shpenzoni kohën tuaj, duke u rritur si person dhe duke zhvilluar forma të reja të personalitetit tuaj dhe pse jo, të bëni punë vullnetare në dobi të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi.