Nga shumë përvoja individuale dhe nga studime të shumta shkencore, vërtetohet se dhënia, ndihma dhe të qenit aty për atë që ka nevojë, është një rrugë e fuqishme drejt rritjes personale dhe lumturisë së qëndrueshme. Këtë e vërtetojnë edhe 2 altruiste, të cilat i ka intervistuar Radio KFOR-i.
Drejtoresha dhe themeluesja e ‘Total Family Coaching’, Adelina Toplica Badivuku, është shembulli ideal i të qenit gjithmonë aty ku kërkohet ndihma, përkrahja dhe motivi për një jetë sa më të mirë të të gjithë njerëzve, e cila është e përkushtuar të ndihmojë familjet që kalojnë në faza të vështira jetësore, në mënyrë që të jetojnë një jetë më të përmbushur fizikisht, shpirtërisht, mendërisht dhe emocionalisht: “Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua kur jam në pozitë të ndihmoj të tjerët. Për ta ndihmuar dikë nuk ka nevojë të jesh i pasur, por duhet të kesh zemër të madhe. Unë nuk dua të jetoj në një botë ku njerëzit nuk kujdesen për njëri-tjetrin, jo vetëm për më të afërmit tanë, por për të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ne. Prandaj gjithmonë zgjatja dorën atij që ka nevojë për ty”, thotë znj Badivuku.
Edhe koordinatorja e Organizatës Joqeveritare ”Shtigjet e Diellit”, Mirjana Lekiq (Mirjana Lekić), shprehet se të ndihmosh njerëzit që kanë nevojë, e posaçërisht e fëmijët përbënë prioritet për Organizatën që ajo e drejton: “Fëmijët janë pasqyrë e vetvetes, shoqërisë dhe vendit ku jetojnë. Kujdesi për grupet më të rrezikuara në shoqërinë tonë duhet të ngrihet në nivelin më të lartë. Detyrimi ynë është që të mbrojmë të gjithë fëmijët, pavarësisht nga kombësia ose feja. Ndërgjegjësimi i njerëzve për respektimin e të drejtave të fëmijëve duhet të rritet dhe kështu fëmijët rriten në një mjedis të shëndetshëm. Ne të gjithë presim që fëmijët tanë të rriten në anëtarë të pjekur dhe produktivë të shoqërisë, të cilët janë të gatshëm të kuptojnë dhe respektojnë të drejtat e të tjerëve”.
Shembuj të tillë na bëjnë të reflektojmë dhe të bindemi se ne ndjehemi më të përmbushur kur japim, se sa kur marrim dhe të qenit empatik na bënë njerëz më të mirë për veten, shoqërinë dhe komunitetin.