Gazetarët gjatë pandemisë COVID-19, u përballën dhe po vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të ndryshme, gjatë kryerjes së punëve të përditshme. Korona virusi ka ndryshuar botën e raportimit sportiv dhe e ka bërë punën e gazetarëve sportiv edhe më të vështirë.
Lidhur me këtë çështje, Radio KFOR-i kontaktoi gazetarin sportiv në ‘Klan Kosova’, Jon Ajeti, i cili theksoi: “Gjatë kohës së pandemisë, natyrisht, që terreni ka qenë i kufizuar. Fillimisht, pezullimi i ngjarjeve na e ka pamundësuar përgatitjen e kronikave, por kohë pas kohe kemi gjetur mënyra për t’i publikuar problemet që ka shkaktuar pandemia COVID-19 edhe në fushën e sportit, ku përmes teknologjisë kemi intervistuar sportistë të ndryshëm. Mirëpo, pasi që u dha leja për përcjelljen e ngjarjeve, kujdesi ka qenë edhe më i madh, meqë në ngjarjet zyrtare, gjithmonë, është dashur të kemi testet, si dëshmi që nuk jemi të infektuar me COVID-19. Mund të themi se përkundër që shumica e punëve u pezulluan gjatë gjithë pandemisë, ne kemi gjetur forma për të nxjerr lajme sportive.”
Pandemia do të mbetet një vit i jashtëzakonshëm për të gjitha profesionet, duke përfshirë këtu edhe profesionin e gazetarisë, të cilët me profesionalizmin e tyre arritën ta mbajnë popullatën të informuar.