“Dita Botërore e Zemrës” festohet çdo vit në të gjithë botën më 29 shtator, me qëllim të përhapjes së vetëdijes për shëndetin e zemrës tek njerëzit, e themeluar në vitin 2000.
Problemet e zemrës janë shkaqet kryesore të vdekjeve në botë dhe pikërisht për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi me subspecialistin e kardiologjisë, Lulzim Brovina, i cili tregoi se në Kosovë vdekshmëria prej sëmundjeve kardiovaskulare është mjaft e lartë, është diku 62 % e personave të cilët vdesin nga sëmundjet e zemrës.
I pyetur për preventivën dhe shkaqet e problemeve me zemrën, kardiologu Brovina shtoi: “Shkaqet shkenca i ndan aty ku nuk mundet shkenca me pas efekt, siç është: gjinia, mosha, raca, ndërsa ku ka efekt shkenca, është pirja e duhanit, stresi, hipertensioni arterial, diabeti mellit, yndyra e lartë në gjak, mos aktiviteti fizik, pesha e tepërt, konsumimi i tepërt i pijeve etj. Çka kishim mundur të themi për preventive është se, preventiva ku shkenca mundet të ndikoj është që ti njoftojmë që mos të tymosin duhanin, të mbajnë në kontroll sheqerin, tensionin, yndyrën, të ken aktivite fizike çdo ditë, së paku pesë herë në javë nga 30 minuta dhe të reduktojnë peshën e tepërt.”
Organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare anembanë botës punojnë për të përhapur vetëdijen e sëmundjeve kardiovaskulare, vrasësit numër një në botë, kështu që kujdesuni për zemrën tuaj.