Për poetin e njohur kosovar, Lulzim Tafa, vlerësimet nga juri të ndryshme profesionale vendore e botërore po ndodhin pothuajse çdo ditë.
Së fundmi, poeti është shpallur fitues i çmimit të parë për letërsi, në Festivalin më të madh ndërkombëtar të poezisë “Mihai Eminescu”, që po mbahet në Rumani.
Çmimi respektiv i është ndarë poetit Tafa, për librin e tij të dytë të botuar në gjuhën rumune, i cili është shpallur edhe libri më i mirë i autorëve të huaj që janë botuar gjatë vitit, në gjuhën rumune.
Mes vlerësimesh të larta karshi krijimtarisë së pasur të poetit Tafa, në fjalën e jurisë, ndër të tjera u tha se poeti Lulzim Tafa është njëri ndër poetët më të rëndësishëm post modernistë të Evopës dhe siç e përshkruan ata ‘Një poet i madh, nga një vend i vogël’.