Artistët Mina Krasniqi dhe Leonid Palushaj, janë pjesëmarrës të shumë ekspozitave kombëtare, ndërkombëtare, ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit.
Mina dhe Leo, talentin e tyre do ta tregojnë edhe me datën 12 shtator, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përmes ekspozitës “Kurrë S’kanë Me U Rritë”. Për të mësuar më shumë rreth kësaj ekspozite, Radio KFOR-i kontaktoi kuratorin Burim Berisha, i cili na tregoi se çfarë ka dashur që të paraqes përmes kësaj ekspozite:
“Shpesh herë talentet dhe prirjet që i hasim tek fëmijët duke luajtur na habisin ose fascinojnë, e na bëjnë të themi shprehjen “Po ti paske me u bo Artist kur të rritesh”, kjo shprehje i ndjekë ata gjatë gjithë fëmijërisë, deri kur të rriten dhe pastaj lindë shprehja “Ti kurrë s’ke me u rrit, hala po lun me ngjyra”. Në këtë rast kemi të bëjmë me dy artistë MINA & LEO të cilët “hala lujnë me ngjyra”, “Hala” trajtojnë të njëjtën formë artistike, portrete nusesh (MINA) dhe këmbë duke ecur (LEO). MINA dhe LEO “Nuk do të rriten kurrë”. Ata përmes artit do të kontribuojnë në rritjen e kulturës dhe zvogëlimin e injorancës.”, kështu tha zotëri Berisha, për projektin e tyre artistik.
Ky projekt ka një përmbledhje të punës dhe studimi shumë vjeçar të temave socio-kulturore të vendosura me shumë kujdes dhe siguri në pëlhura të reja, pëlhura të cilat me shumë vështirësi mund të kuptojnë pse peshojnë kaq shumë dhe mezi e mbajnë zërin i cili del natyrshëm dhe thërret njerëzit për emancipim, komunikim me vetveten dhe kapërcim të pengesave tashmë të vjetruara e të pa përmirësueshme.