Çdo ditë e më shumë jemi dëshmitarë të përdorimit të armëve, të cilat për pasojë po marrin jetë njerëzish.
Tri ditë më parë, një plumb qorr ja ndali në gjysmë lojën 6 vjeçares, Viktoria Seta nga Podujeva i cili do të mund të ja shkurtonte jetën, në kohën më të bukur të lulëzimit të saj.
Për fatin e mirë të saj dhe familjarëve, vajza është gjallë dhe po trajtohet nga profesionistët shëndetësor, megjithëse plumbin akoma e ka në trup.
Ky rast e preku jashtëzakonisht shumë edhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci, i cili së bashku me ekipin e tij ushtarak dhe civil, vizituan vogëlushen në spitalin ku ajo po trajtohet.
Pavarësisht tronditjeve që ka pësuar, ajo ishte shumë e ngazëllyer që takoi nga afër Komandantin Cuoci dhe ekipin e Radio KFOR-it.
I emocionuar nga kjo vizitë dhe me shqetësim të thellë, Komandanti i KFOR-it pati këtë porosi për të gjithë qytetarët e Kosovës:
“KFOR-i është shumë i shqetësuar për përdorimin e armëve gjatë cermonive festive apo ahengjeve familjare, prandaj në vazhdimësi realizon kampanja sensibilizuese për të ngritur vetëdijen për rrezikun që përdorimi i armëve mund të sjellë për njerëzit gjatë këtyre festimeve”, theksoi Komandanti Cuoci, duke shtuar se jeta e njeriut ka më shumë vlerë se të gjitha emocionet momentale.
Për të pranishmit në këtë vizitë, ai pati edhe këtë kërkesë:
“Këto gjuajtje, këto vepra ilegale duhet të ndalen njehërë e përgjithmonë para se të bëhet shumë vonë”.
Sipas mjekëve në repartin e Klinikës Torakale në QKUK, gjatë javës pritet të realizohet operacioni, përmes së cilit vajzës do ti heqet plumbi nga trupi.
Radio KFOR-i i uron shërim sa më të shpejt vogëlushes Viktoria, dhe uron që ky të jetë rasti i fundit i shkaktuar nga përdorimi i armëve.
Mos shkurtoni jetë fëmijësh nga pakujdesia juaj! FESTONI ME ZEMËR, E JO ME ARMË!