‘Rinia është shpresa e së ardhmes’, kjo është vetëm një nga thëniet e shumta që flet për të rinjtë e një shoqërie dhe fuqinë e tyre për të bërë ndryshime të mëdha, të cilat ndikojnë në mirëqenien e të gjithëve, pa dallim.
Radio KFOR-i ju prezanton dy të rinj, Klesta Qehaja, nga komuniteti shqiptar dhe Nikolla Stanojeviq (Nikola Stanojević), nga komuniteti serb, të cilët përmes realizimit të ëndrrave të tyre, kanë përçuar mesazhe paqeje dhe bashkëjetese si dhe janë bërë shembuj dhe motivim për bashkëmoshatarët e tyre:
– “Unë jam Klesta Qehaja dhe kam kuptuar se muzika nuk njeh moshë, racë apo etni. Muzika është gjuhë universale. Përmes saj, unë dua që të përcjell mesazhe për paqe dhe dua të tregoj se edhe pse unë e di që jam e lumtur, në botë ka plot fëmijë të cilët nuk janë. Përmes këngës, unë dua t’ju tregoj atyre që gjithnjë ka shpresë. Të njëjtin mesazh e përçon edhe kënga që unë dhe Stefana Nikollçeviq (Stefana Nikolčević) e kemi kënduar ‘Sing for better future’, njëherazi edhe himn i Radio K4-it. Ky mesazh është që muzika na bashkon. Të gjitha ëndrrat tona mund të bëhen realitet, nëse punojmë drejt tyre”.
– “Unë jam Nikolla Stanojeviq dhe i ndjek mësimet në vitin e parë në Shkollën e Inxhinierisë Elektrike. Kam qenë i interesuar për teknologji që kur kam qenë fëmijë. Në moshën 12 vjeçare, zbulova se e dua robotikën dhe programimin. Duke iu falënderuar Qendrës për Inovacion në Graçanicë dhe mësuesve të mi, unë fillova ta zhvilloj talentin tim. Sigurisht, suksesi im më i madh është pjesëmarrja në Garën Botërore të Robotikës dhe Programimit në Kinë, më 2019. Unë gjithashtu luaj edhe në piano. E dua muzikën dhe e zbulova talentin tim në muzikë në moshën 8 vjeçare. Mesazhi im për bashkëmoshatarët është që të punojnë me veten e tyre dhe asnjëherë të mos dorëzohen, por të punojnë për atë që duan.”
Një shoqëri demokratike nuk mund të konsiderohet e kompletuar, pa një rini të shëndoshë, të angazhuar në respektimin e të drejtave të barabarta për të gjithë anëtarët e saj, pa dallim etnie, race apo gjinie.