Në vazhdën e fushatës globale ‘16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore’, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) që kryesohet nga ‘UN Women’, bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave si dhe shkeljen e të drejtave të tyre.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore është thellësisht i shqetësuar që dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë një nga mënyrat më të përhapura të diskriminimit gjinor.
Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 1.129 raste të dhunës në familje dhe si një akt përfundimtar, i një vazhdimësie të dhunës me bazë gjinore, në vitin 2018 ishim dëshmitarë të 8 rasteve të vrasjeve të grave brenda familjes, duke përfshirë edhe një vajzë të vogël.
“Dënojmë fuqishëm çdo akt të dhunës kundër grave dhe vajzave dhe theksojmë faktin se dhuna në familje nuk është kurrë një çështje private dhe reagimi i duhur institucional ndaj këtyre veprimeve kriminale është një e drejtë njerëzore dhe e patjetërsueshme e viktimës”, thuhet në deklaratën e GSBGJ.
Fushata globale “16 ditë të Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”, ka filluar më 25 nëntor dhe përfundon më 10 dhjetor 2018.