Filmat e punuar nga Studentet e UP-së zakonisht përfundojnë në festivale të ndryshme, duke mos pasur hapësirë për adhuruesit e filmave t’i shikojnë ato. Mu për këtë arsye, në “Kino ARMATA”, nesër më 11 korrik, në orën 19:00, do të shfaqen tre filma, si: “Nina Nana” me regji nga Aulona Selmani.
Kohëzgjatja e këtij filmi është 12 minuta dhe historia e këtij filmi të shkurt ka të bëjë me një nënë, ku pasi humbë fëmijën dhe policia e shpallë të vdekur, nëna nuk ndalet së kërkuari për të, me idenë se ajo është gjalle dhe po e pret. Ajo do t’i besojë intuitës së saj deri në fund, pa marrë parasysh a konsiderohet e çmendur ose nëse e gjithë bota është kundër.
Filmi tjetër i radhës është “Engjëjt e Kaltër” me regji të Joni Mithi. Ky film brenda 8 minutave tregon se si një student i estetikës dhe një vajzë e cila punon në një linjë telefonike për personat me tendenca vetëvrasëse, kuptojnë se nuk mund ta zhdukin të keqen, pavarësisht nëse mundohen apo jo.
Filmi i tretë është “I Huji” me regji të Ermal Gërdovcit. Kohëzgjatja e këtij filmi është 11 minuta dhe ka të bëjë me këtë tregim, ku Norman, shtetas gjerman, ndodhet në një dhomë hoteli në mes të qytetit të Prishtinës dhe po pret të dashurën e tij Antigonën të cilës i ka përgatitur një surprizë që ajo nuk e pret mirë.