Të enjten, në ora 20:00, në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, do të shfaqet premiera “Të jesh nënë”, nga autori Italian Roberto Bracco, i cili njihet si letrar i madh në fillim të shekullit njëzet. Për të mësuar më shumë rreth kësaj shfaqjeje, Radio KFOR-i kontaktoi regjisoren e mirënjohur, Sevdije Ajeti, e cila na njoftoi se drama trajton aspektin e lirisë së individit, në raport me kërkesat e shoqërisë dhe më tutje shtoi:
“Në këtë shfaqje trajtohen konfliktet mes bashkëshortëve siç janë Alfredi dhe Klaudia. Do të thotë kemi një situatë dramatike që janë të mbushura me tension që krijojnë personazhet mes tyre. Kjo atmosferë është zhvendosur në skenë në mes të komikes dhe tragjikes në fund. Unë mendoj se janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin këtë shfaqje, sepse mund të shohin flijimin e një gruaje e cila është në gjendje të flijohet si nënë për fëmijën e saj, tregon dashurinë e madhe që ka ajo ndaj fëmijës dhe se çka është në gjendje të bëjë ajo për fëmijën.”
Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Aida Alidemi, Flormend Shabaj, Agon Bala, Faik Zekaj , Shpresa Salihaj, Fitore Broqi, Herodita Ramshaj dheLuan Daci.