Dashuria për pikturën ka bashkuar fëmijët e kombësive serbe, shqiptare dhe rome në Lepinë, një fshat në komunën e Graçanicës. Edhe pse nuk flasin të njëjtën gjuhë, ata i shfaqin ndjenjat e tyre në pëlhurë.
Gentoni, Milica dhe Adila ëndërrojnë të bëhen piktorë një ditë. Këta fëmijë kanë të përbashkët dashurinë për artin.
Ata janë pjesë e një grupi nxënësish nga shkolla e pikturës për fëmijë, të cilët, sipas mësuesit Bajram Mehmeti, mund të shërbejnë gjithashtu si një shembull i mirë i bashkëpunimit shumetnik.
“Tani për tani, ne kemi dhjetë fëmijë nga fshati ynë, Lepinë. Fshati është multi-etnik dhe serbët, shqiptarët dhe romët janë pjesë e tij. Ideja ishte që të bashkojmë fëmijët nga të gjitha komunitetet. Duke marrë parasysh situatën aktuale, ne i përmbahemi të gjitha masave, në lidhje me pandeminë, mbajmë distancë, mbajmë maska”, tha mësuesi Mehmeti, duke shtuar se fëmijët nga Graçanica janë pjesë e kësaj iniciative herë pas here.
Millica Illiq (Milica Ilić) është nëntë vjeçe dhe ajo ishte pjesë e këtij projekti dhe ëndërra e saj jetësore, është që kur të rritet të bëhet piktore: “Kur të rritem, do të doja të isha një piktore. Të gjithë këtu i kam shokë dhe të gjithë shoqërohemi së bashku.”
Shkolla e pikturës filloi në shtator dhe është planifikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2020. Nëse kushtet epidemiologjike e lejojnë, në fund këtij viti do të organizohet edhe një ekspozitë, në të cilën do të paraqiten të gjitha pikturat e fëmijëve.
Projekti në fjalë mbështetet nga Këshilli i Evropës dhe zbatohet nga organizata joqeveritare “Gaia” nga Prishtina. Qëllimi i këtij projekti është që të mësohen fëmijët e talentuar deri në moshën 16 vjeç, me teknika të ndryshme të pikturës.