Pasnesër (10.10.2018) duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizata jo qeveritare ‘Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë’ (PEN), shënon 10 vjetorin e themelimit të saj.
Kjo organizatë jo-qeveritare punon në kuadër të motos: ‘Nga të Rinjtë – Për të Rinjtë’, duke kontribuar për 10 vite në fushën e edukimit, barazisë gjinore, gjithëpërfshirjes etnike, vullnetarizmit dhe në shumë fusha tjera me interes për shoqërinë.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, përfaqësues nga kjo organizatë na treguan më shumë lidhur me aktivitetin e tyre të radhës:
“Me rastin e 10 vjetorit të ‘Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë’, do të mbajmë një ceremoni, ku do të shfaqet një video përmbledhëse e veprimtarisë së organizatës, do të prezantohet puna e një dekade dhe ndikimi i projekteve në ndryshimet pozitive në Kosovë si dhe do të nderohen partnerët, donatorët, vullnetarët dhe kontribuesit, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm, në zhvillimin profesional të organizatës si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të rinisë për ndryshime pozitive në shoqëri”, treguan përfaqësuesit e kësaj organizate.
‘PEN’, veprimtarinë e ka të shtrirë në gjithë Kosovën dhe ka më shumë se 6000 vullnetarë dhe edukatorë.