Nostalgjia për të kaluarën dhe momentet e caktura gjatë jetës, krijojnë një mozaik kronologjik të jetës sonë të përditshme. Pikërisht kjo është njëra nga prespektivat në të cilat është mbështetur artisti Maksut Vezgishi, i cili do të hapë ekspozitën e tij personale të titulluar ‘Pavilion K’, nesër (05.09.2018) në ‘Galerinë e Kosovës’, nga ora 20:00.
Në një bisedë me Radio KFOR-in, Vezgishi shpalosi detaje të ekspozitës së tij, duke treguar për natyrën e ekspozitës dhe frymën që do të prezantoj:
“Ajo që është bazike në këtë ekspozitë është trajtimi i eksperimentit të modernes të viteve 30-ta dhe 50-ta dhe influencat që kam pasur unë gjatë zhvillimit në arte si dhe aplikimi i eventeve që ndodhin tek ne me elementet e traditës. Pra është një përzierje mes frymës konstruktive, suprematiste dhe traditës tonë”, u shpreh Vezgishi.
Vezgishi tregoi më tej se ka punuar me përkushtim dhe dashuri për këtë ekspozitë për dy vjet dhe ekspozita do të jetë e hapur deri më datën 1 Tetor të këtij viti.